Telegrafi

Ndikimi i futbollit në rritjen e presionit në Spanjë për ta njohur Kosovën

(Foto: ffk-kosova.com)

Përveç se është sporti më i popullarizuar në botë, futbolli nënkupton më shumë se sa vetëm një lojë me top.

Kosova përmes këtij sporti ka arritur të paraqesë simbolet e shtetit të pavarur në vendet të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Por, impakti i futbollit shkon përtej çdo parashikimi. Së fundmi në parlamentin spanjoll u bë debat i nxehtë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ku deputeti i partisë kombëtare baske, Aitor Esteban, i ka kërkuar kryeministrit Pedro Sanchez njohjen e Kosovës.

Lexo po ashtu Deputeti spanjoll bën thirrje që shteti i tij ta njohë Kosovën

Ndër të tjera ai tha “Njiheni Kosovën një herë e përgjithmonë, pasi që jeni përballur me ta edhe në futboll”.

Paraqitja e Kosovës në Spanjë dhe organizimi e pritja në Kosovë nga Federata e Futbollit e Kosovës ka ndikuar në imazhin pozitiv të shtetit tonë dhe ndikimin e këtij sporti edhe në politikë.

Kujtojmë se presidenti i Federatës Spanjolle, Luis Rubiales ka bërë pritje të ngrohtë për presidentin Ademi dhe delegacionin e FFK-së në Spanjë, teksa raportet e ngrohta dhe miqësore janë konfirmuar edhe gjatë vizitës së Spanjës në Kosovë, ku janë shkëmbyer dhurata me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, me ç’rast i pari i FFK-së i kishte dhuruar hartën e Kosovës me simbolet e saj, teksa presidenti Rubiales përveç kreut të FFK-së, me një dhuratë e kishte nderuar edhe presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.