Ndihmëssekretari amerikan i Byrosë NdërkombëtareKundër Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson ndodhet për vizitë zyrtare në Prishtinë, ndërkaq gjatë vizitës këtu do të takohet vetëm me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani.
Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur se takimi ndërmjet ndimëssekretarit amerikan Robinson dhe presidentes Osmani do të zhvillohet në ora 10:00.
Pas takimit, Osmani dhe Robinson do të mbajnë një konferencë për media.
Një takim i zyrtarit të lartë amerikan me kryeministrin Albin Kurti nuk është planifikuar.
Edhe ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee në fillim të marsit ishte për vizitë në Kosovë.
Gjatë vizitës zyrtare ajo takoi vetëm presidenten e shtetit.
Pas takimit që ka pasur me presidenten Osmani, McKee në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht mosmarrëveshjeve me “qeveri të caktuara”, përkushtimi ndaj Kosovës mbetet i palëkundur.
“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri të caktuara, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka thënë McKee. /Telegrafi/