Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta largoj kushtëzimin për marrjen e 50 përqindëshit në kuadër të Pakos për Inflacionin.
Azemi në një konferencë për medie ka theksuar se shumica e punëtorëve në këtë sektor nuk kanë mundësi t’i marrin këto mjete financiare.
“Një kërkesë që është e pashmangshme është ajo se Qeveria e Kosovës duhet ta largoj kushtëzimin lidhur me kompanitë private, nëse ato japin 50 euro edhe unë do t’i jap 50 euro”, tha Azemi.
Sipas tij, nëse nuk largohet ky kushtëzim, atëherë kryeministri Albin Kurti le t’i merr këto mjete e t’i alokojë diku tjetër.
“Unë bëjë me dije se nëse nuk largohet ky kushtëzim, atëherë i themi kryeministrit merri këto mjete financiare e alokoj kudo qoftë, sepse nga kaluara dhe e sodit çdo pronar nuk bëhet pjesë, ku pjesa dërmuese nuk e ka këtë fuqi dhe shpresoj të mos jetë një mashtrim i radhës”, shtoi ai.
“Nëse nuk largohet ky kushtëzim, atëherë ky vendim është marrë për interesa personale”, përfundoi Azemi.
Kurti kishte bërë të ditur se duke filluar nga ky muaj për zyrtarët publikë do të ndajnë shtesën prej 50 euro, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro.
Ai njoftoi se për pensionistët do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro (në tetor), ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesin duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.
Kurti duke përmendur punëtorët privat ka thënë se 80 për qind janë të angazhuar në këtë sektor, e që është prekur më së shumti nga inflacioni.
“Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, kishte bërë të ditur Kurti. /Telegrafi/