Në shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shumë fëmijë u mblodhën para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të ndezur qirinj për fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundmi. 1133 qirinj u ndezën për të kujtuar 1133 fëmijët e vrarë.
Në këtë manifestim të pranishëm ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e zyrtarë të tjerë shtetërorë.
Kryeministri Kurti u tha fëmijëve të pranishëm se tha se ata janë shpresa e Kosovës.
“Pavarësisht humbjeve, vuajtjeve dhe dhimbjeve tona, ne jemi bashkë. Ka shpresë për vendin tonë dhe kjo shpresë jeni ju fëmijët e Kosovës. Ju po e mbani nga një qiri në duart tuaja në këtë mbrëmje dhe gjithsej i kemi 1133 qirinj sepse secili prej këtyre qirinjve tregon për një fëmijë që është vrarë gjatë luftës e nuk është në mesin tonë”, u shpreh Kurti.
Tutje, ai tha se fëmijët e vrarë në luftë do t’i kujtojnë çdo herë dhe nuk do t’i harrojnë asnjëherë.
“Ne ata i kujtojmë dhe kurrë nuk do t’i harrojmë. Sakrifica e popullit tonë është e madhe. Plagët e luftës janë të thella. Dhimbja është e pafund, por gëzimi e lumturia juaj nuk ka pikëllim që nuk e mund. Kur ju shohim juve, zemra në bëhet mal”.
Në fund, kreu i ekzekutivit pati edhe një porosi për fëmijët.
“Ju duhet të mësoni sa më shumë e sa më mirë në bankat e shkollës. Ta duani nënën dhe babanë, mësuesen e arsimtarët. Ta doni njëri-tjetrin, të luani bashkë dhe të mësoni sa më shumë”, tha Kurti.
Ndërsa, presidentja Osmani tha se i kemi borxh familjeve që kanë gjithçka për Kosovën që shtetin ta bëjmë sa më të suksesshëm për brezat e ardhshëm.
“Fëmijëve ju them faleminderit që na jepni kaq shumë motiv e inspirim për të ecur përpara. Për secilin prej nesh s’ka gëzim më të madh se kur shohim buzëqeshje në fytyrat tuaja dhe shohim potencialin e jashtëzakonshëm që keni. Ua kemi borxh atyre familjeve që dhanë gjithçka, ua kemi borxh heronjve tanë që Kosovën ta bëjmë çdo ditë e më të suksesshme për brezat e ardhshëm”, u shpreh Osmani.
Fjalën në këtë manifestim e mori edhe kryekuvendari Konjufca, i cili tha se fëmijët mund të përshkruhen me dy fjalë: pafajësi dhe ardhmëri.
“Edhe pse si vend kemi kaluar në shumë vështirësi, kemi pasur shumë vuajtje, kur po ju shoh duke u rritur të lirë në Republikën e Kosovës po më mbushet zemra plot dhe po kuptoj se askush nuk mund të na ndalë si popull”, deklaroi Konjufca.
Tutje, ai tha se duke i kujtuar të rënët për liri, e mbrojmë dhe e duam më shumë vendin.
“Për të ardhur deri në këtë ditë kemi paguar një çmim shumë të shtrenjtë. Duke i kujtuar ata që janë flijuar për vendin tonë, kështu e mbrojmë dhe e duam më shumë Kosovën e cila sot feston 15-vjetorin e Pavarësisë”, përfundoi ai.
Ndryshe, sot janë bërë 15 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Për të shënuar këtë ditë, sot janë mbajtur një mori aktivitetesh të organizuara nga Qeveria e Kosovës si ngritja solemne e flamurit, parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë si dhe në orën 20:15 do të mbahet koncerti i pavarësisë. /Telegrafi/