Ka startuar ditën e shtunë java e 22-të në Ipko Superligën e Kosovës me ndeshjen mes Ferizajt dhe Trepçës ’89 që përfundoi 4-0 në të mirë të vendasve.
E ditën e sotme me fillim nga ora 14:00 në program janë dy super sfida, njëra në Gjilan dhe tjetra në Podujevë.
Në qytetin e Gjilanit zhvillohet derbi bardhekaltër ku përballë njëra tjetrës janë Drita dhe Prishtina. Dy rivalët e vjetër që edhe në një edicion të radhës ballafaqohen mes vete në garën për titullin kampion.
Takimi pritet që të jetë interesant, pasi që është konfirmuar edhe prezenca e dy grupeve të tifozërive, “Intelektualët” e Dritës dhe “Plisat” e Prishtinës.
Përballja e parë këtë edicion mes dy skuadrave e zhvilluar në kryeqytet i takoi Prishtinës me rezultat minimal 1-0.
Ndeshje tejet interesante pritet të jetë edhe takimi ndërmjet Llapit dhe Gjilanit, ballafaqim ky i cili prite të zhvillohet në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Të dy këto skuadra kanë për objektiv Evropën, por një fitore eventuale e skuadrës gjilanase do ti konfirmonte përfundimisht ata si pretendent edhe për titullin kampion.
Gjithashtu edhe për këtë përballje, dy grupet e tifozërive kanë konfirmuar pjesëmarrjen. “Legjendat” e Llapit dhe “Skifterat” e Gjilanit do ta pasurojnë edhe më shume me hijeshinë e tyre këtë ndeshje interesante.
Takimi i parë ndërmjet këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me fitoren bindëse të skuadrës gjilanase me rezultat 3-0. /Telegrafi/
Ipko Superliga e Kosovës
E diel
14:00 Drita – Prishtina
14:00 Llapi – Gjilani