Shqipëria është sot (e martë ) nikoqir i Polonisë për takimin që luhet në kuadër të Kualifikimeve për Kupën e Botës.
Ndeshja që fillon nga ora 20:45, do të luhet në stadiumin “Air Albania”, me kuqezinjtë që i pret një takim tejet i vështirë.
Edy Reja ka kërkuar nga lojtarët që të tregojnë personalitet dhe maturi për këtë sfidë, duket e ditur për rëndësinë që ka ky takim.
Edhe Etrit Berisha ka bërë të ditur se ballafaqimi me Poloninë do të jetë i vështirë, mirëpo që do ta kenë një ndihmë të madhe nga tifozët.
Sa i përket përkrahësve, kreu i FSHF-së, Armando Duka ka thënë se të gjitha biletat janë shitur, derisa do të jenë të pranishëm 22 mijë tifozë.
Mungesë e madhe në këtë sfidë për Shqipërinë është Berat Gjimshiti, që theu dorën ndaj Hungarisë dhe do të mungojë për 30 ditë.
Shqipëria është aktualisht në vendin e dytë të Grupit I, me 15 pikë, katër më pak se lideri Anglia, Polonia ka 14, Hungaria me dhjetë, Andorra me tre dhe San Marino ende pa asnjë pikë. /Telegrafi/