Ndeshja mes Llapit dhe Prishtinës e fituar nga vendasit (1-0), në fundin e saj solli shumë tension, kartonë të kuq, e pas saj edhe akuza dhe kërcënime.
Llapi ishte nikoqir i Prishtinës në derbin e javës së 20-të të Superligës së Kosovës, ku shënoi fitore me golin e vetëm të shënuar nga Ahmed Januzi në fillimin e pjesës së dytë.
Prej rikthimit të Llapit në elitë ndeshjet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë të forta. Edhe kjo e fundit e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” nuk kaloi pa tensione.
Në fundin e ndeshjes, pati fërkime ndërmjet Bujar Idrizit dhe Khalid Basid, por vetëm ky i fundit mori karton të verdhë. Gjasë kësaj zënke me karton të kuq u ndëshkua Armend Dallku.
Prishtina ishte duke kërkuar penallti pas një rrëzimi në zonë të Gauthier Mankendas, gjë që gjyqtarët heshtën. Edhe Prishtina pas ndeshjes u ankua pikërisht në këtë rast, por edhe te një rast i golit në raportimin e saj për ndeshjen.
“Krijohet përshtypja që Llapi e deshi fitoren më shumë dhe nuk pati nevojë për ndihmën e gjyqtarit kryesor, i cili në dy raste dëmtoi Prishtinën, për një gol të anuluar dhe një penallti të pa dhënë në minutat e fundit të lojës shtesë”, shkruan FC Prishtina në faqen zyrtare.
Nga ana tjetër, Llapi e akuzon kryetarin e FFK-së kinse i dha premia Prishtinës për ta mposhtur Llapin. Pas reagimit në gjykim nga Prishtina, nuk ka vonuar edhe kundërpërgjigja e Llapit. Ky klub e ka akuzuar kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, se ia ka dhënë Prishtinës 38.000 euro premi për ta mposhtur Llapin.
“Sot nuk e kemi mposhtur vetëm Prishtinën, por edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila i ka dhënë premi 38.000 euro për ta mposhtur Llapin. Të premten, një ditë para ndeshjes presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i pagoi FC Prishtinës premi në vlerë 38.000 euro. Kjo nuk ndodh askund në botë, kjo është për hetuesi! Shtrohet pyetja për Komitetin ekzekutiv a ka raste tjera kur ndodh e njëjta gjë dhe apo ndodhin këto ndodhi me leje të tyre?”, thuhet në një reagim në faqen e Llapit në Facebook.
Në ndërkohë, duke iu referuar humbjes, Prishtina e ka bërë një postim në faqen e vet në Facebook duke i dhënë rëndësi ndeshjes së radhës kundër Feronikelit.
“Prishtinën e kanë mposht edhe skuadra që janë shuar, më nuk ekzistojnë, por për titull gjithmonë luftojmë! Prishtina të mërkurën (17:00h) e pret Feronikelin dhe me gjithë mungesat që do t’i ketë për shkak kartonëve jo të rastësishëm të sotëm, me fitore eventuale e rikthen distancën prej dy pikëve dhe deri në fund vazhdojmë luftën ndershëm për titull”, thuhet në postim.
Në ndërkohë pritet që Federata e Futbollit të Kosovës të dalë me komunikatë lidhur me akuzat ndaj saj dhe kreut të FFK-së. /Telegrafi/