Telegrafi

Ndërton aeroplan duke përdorur triçiklin dhe rrobat e prodhuara nga thasët, pakistanezi rrëmben vëmendjen e forcave ajrore (Foto)  

Një shitës i kokoshkave nga Pakistani ka arritur ta ndërtoj një aeroplan duke përdorur rroba të punuara nga thasët dhe copëzat e një triçikli, e kostoja totale e kësaj fluturake ka kapur shifrën e vetëm 500 funteve.

Muhammad Fayyaz nuk kishte hedhur asgjë në kontejnerët e mbeturinave derisa kishte shitur kokoshka dhe kishte punuar si roje, me qëllimin e vetëm që ëndrrën e fëmijërisë ta realizojë – duke ndërtuar një aeroplan, transmeton Telegrafi.

Fayyaz që jeton në fshatin Arifwala, kishte mësuar të ndërtojë aeroplanin duke shikuar dokumentarë të ndryshme në televizor si dhe manuale në internet.

Fluturakja është ndërtuar nga materialet që kurrë nuk do ta kishit besuar se mund të prodhohet një aeroplan. Motori është marrë nga makina për prerjen e barit, e krahët janë punuar nga goma e trupi nga triçikli.

Megjithatë kjo “vepër e tij arti” ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve të lartë të vendit që shërbejnë në forcat ajrore, të cilët madje e kanë vizituar disa herë Fayyaz-in, duke i dhënë një certifikatë për këtë punë.

E të gjithë vizitorët që kanë pasur rastin ta shohin krijimtarinë e Fayyaz-it, në oborrin e shtëpisë tredhomëshe në pjesën qendrore të Punjabit, janë habitur me talentin e rrallë të këtij burri.

32-vjeçari qysh si fëmijë kishte ëndërruar t’i bashkohet forcave ajrore, por kur i ati i ndërroi jetë derisa ai ende po vijonte mësimin, u detyrua të braktis studimet në klasën e tetë dhe të punojë për ta siguruar kafshatën e gojës për të ëmën dhe vëllezërit e motrat.

Thotë se për ndërtimin e një fluturake ishte inspiruar nga dokumentarët e National Geographic Channel – Air Crash. Por, kjo nuk ishte e tëra, ka shikuar me vëmendje edhe video të ndryshme në internet që tregonin se si mund të ndërtohen fluturaket.

Për të realizuar “projektin” kishte shitur një copë të tokës së trashëguar nga familjarët si dhe kishte marrë hua rreth 50 mijë rupee, të cilat ende është duke i paguar. E në shkurt të këtij viti ka testuar fluturaken pas plot dy viteve punë të palodhshme.

Për të arritur këtë ka kërkuar ndihmën e një miku që bllokoi një rrugë për të lëvizur nëpër të, me shpresën se do të arrijnë ta ngritin në ajër. E kur një gjë e tillë u arrit, sipas mikut të tij Amerr Hussain, fluturakja ka lëvizur me 100 kilometra në orë. /Telegrafi/