Site icon Telegrafi

Ndërtimtarët ndërpresin komunikimin me kreun e Prishtinës

Shoqata e ndërmarrjeve ndërtimore dhe prodhuese të materialeve të Kosovës, e pakënaqur me autoritetet komunale të Prishtinës në fushën e ndërtimeve, ka marrë vendim që ta ndërpresë komunikimin me autoritetet komunale, me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, dhe me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizimit, Ndërtimit dhe Zhvillimit, Liburn Aliu.

Vendimi për këtë hap, siç thekson kryetari i kësaj shoqate, Brahim Selimaj, është marrë në mbledhjen e Kuvendit të shoqatës, të mbajtur më 10 prill.

“Shoqata ka vlerësuar se ka bërë të pamundurën për gjetjen e formave të bashkëpunimit dhe ka shprehur gatishmërinë e saj maksimale për t’i tejkaluar të gjitha situatat e mundshme, pengesat apo parregullsitë nga kushdo, me të vetmin qëllim për krijimin e kushteve dhe për vazhdimin e punës dhe të aktivitetit afarist. Duke pasur parasysh se tani jemi në muajin e katërt të vitit 2015, ne kemi konsideruar se vazhdimi i mëtejmë i përpjekjeve për të tejkaluar gjendjen shumë të rëndë në lëmin e ndërtimtarisë, sipas praktikës së deritanishme, është e pamundur”, thuhet në letër.

Sipas ndërtimtarëve, kjo qasje është joracionale, pasi që më nuk është e besueshme që do të ketë zgjidhje të shpejta konkrete për krijimin e kushteve të punës. /koha/

Exit mobile version