Site icon Telegrafi

Ndërthurja ndërmjet depresionit dhe çrregullimit të ushqyerjes

(Foto: Pexels)

Depresioni është një çrregullim psikiatrik që i përket grupit të çrregullimeve afektive. Karakterizohet nga një disponim i ulët që nuk është në përputhje me rrethanat objektive të jetës.

Simptoma të tjera karakteristike janë: gjendja e pafuqisë, gjendja e mungesës së shpresës, urrejtja ndaj vetvetes, dinamika e ngadalësuar motorike dhe mendore, ulje e motivimit, zymtësi, mendime të rënda për kuptimin e jetës, çrregullime fizike.

Ashtu si me të gjitha sëmundjet trupore, është shumë e rëndësishme të vendoset diagnoza e saktë në kohë, sepse vetëm në këtë mënyrë është e mundur të aplikohet trajtimi adekuat.

Lexo po ashtu Një simptomë e pazakontë e depresionit mund të zbulohet gjatë ngrënies ose gatimit

Depresioni dhe mosha

Fatkeqësisht, depresioni është një çrregullim i shpeshtë që mund të zhvillohet në çdo kohë gjatë jetës dhe koha më e zakonshme e shfaqjes së një çrregullimi depresiv është periudha e adoleshencës – statistikat thonë se më të rrezikuarit janë të rinjtë në të njëzetat e tyre.

Lexo po ashtu Studimi: Anoreksia mund të çojë në ndryshime dramatike në strukturën e trurit

Depresioni dhe anoreksia

Njerëzit që vuajnë nga anoreksia shfaqin shpesh simptoma depresive në pasqyrën e tyre klinike. Kur flasim për anoreksi dhe depresion, lind pyetja nëse depresioni mund të jetë një shkas për anoreksi, apo anoreksia është një shkas për depresion. Për shkak të ndërthurjes së mundshme të këtyre kushteve, është e rëndësishme të përcaktohet prania e depresionit përpara se të vendoset anoreksia nervore si diagnozë. Siç është përmendur tashmë, depresioni dhe anoreksia nervore kanë disa karakteristika identike: humbje peshe, tërheqje dhe izolim social, humbje e interesit, mendime vetëvrasëse.

Nga ana tjetër, këto dy çrregullime janë shumë të ndryshme – pacientët me depresion kanë një oreks të reduktuar, gjë që rezulton në humbje peshe, ndërsa pacientët që vuajnë nga anoreksia kanë një oreks normal, por mohojnë ndjenjën e urisë, nuk hanë për shkak të frikës nga ushqimi dhe shtimi në peshë, dhe për rrjedhojë humbin kilogramë.

Pacientët në depresion nuk shprehin frikë nga ushqimi, frikë nga mbioesha ose çrregullimi i imazhit të trupit. Njerëzit në depresion mund të kenë një shkallë të caktuar hiperaktiviteti që është pasojë e agjitacionit depresiv, ndërsa personat që vuajnë nga anoreksia shfaqin hiperaktivitet me qëllimin e qartë të konsumimit të kalorive dhe humbjes së peshës trupore.

Lexo po ashtu Çrregullimi i ngrënies së tepërt

Depresioni dhe bulimia

Është e rëndësishme të theksohet se depresioni është i zakonshëm te njerëzit që vuajnë nga bulimia nervore. Në fillim të sëmundjes, personi i prekur ka një ndjenjë sigurie dhe fuqie (“Unë mund të ha sa të dua pa shtuar peshë, jam më i mirë se të tjerët”). Megjithatë, kjo ndjenjë mund të zgjasë për disa kohë, ndoshta për vite, derisa personi ta humbë plotësisht kontrollin mbi sjelljen e tij, kur krizat bulimike bëhen të përditshme dhe ndodhin disa herë në ditë. Pastaj shfaqet depresioni ose përkeqësohet nëse ka ekzistuar më parë.

Për shkak të pamundësisë për t’i kontrolluar krizat bulimike, dominon ndjenja e pavlefshmërisë, turpit, vetëvlerësimit jashtëzakonisht të ulët dhe vetëvlerësimit me izolim social. Shpesh, njerëzit që vuajnë nga bulimia kanë disa përpjekje për vetëvrasje përpara se ta fillojnë trajtimin. Kjo zakonisht ndodh kur episodet bulimike bëhen të pamundura për t’u kontrolluar.

Kontakti me ushqimin është një nga kontaktet e para në jetën e çdo njeriu. Kjo është arsyeja pse është jashtëzakonisht e rëndësishme të krijohet një qëndrim i shëndetshëm ndaj të ushqyerit. Në rast të një çrregullimi, është e rëndësishme të filloni trajtimin dhe terapinë në kohë. /Telegrafi/

Exit mobile version