Me më pak njerëz që shkojnë për të punuar në zyrat në Manhattan, tregu i pasurive të paluajtshme komerciale të New Yorkut ka humbur rreth 400 miliardë dollarë në vlerë që nga fillimi i pandemisë COVID-19.
Qyteti i New Yorkut është plot me pamje panoramike, por shumë nga zyrat e tij tani janë bosh. Shfrytëzimi i zyrave, i llogaritur si përqindje e punonjësve që shkojnë në to, është vetëm 43 për qind, krahasuar me nivelin para pandemisë dhe të premteve bie në 21 për qind.
Efekti në ekonomi – 12 miliardë dollarë më pak shpenzime nga këta punonjës zyrash, çka është pasqyruar në mbylljen e dyqaneve dhe restoranteve. Por rreziku më i madh është për kapitalin që është investuar në shumë prej këtyre ndërtesave.
“Filloi me COVID-19. Pasoja më e rëndë është ndjerë në vlerën e ndërtesave që shërbejnë për zyra. Dhe ajo që kemi gjetur është se gjatë këtyre dy viteve të fundit, vlera e tyre në treg është ulur me rreth 400 miliardë dollarë”, thotë Stijn Van Nieuwerburgh nga Universiteti Kolumbia.
Dy të tretat e qirave të zyrave të New Yorkut do të rinovohen në tre deri në katër vitet e ardhshme. Van Nieuwerburgh thotë se kjo mund të paraqesë më shumë sfida për tregun e qytetit.
“Kjo do të sjellë pasoja për tregun e zyrave. Ne parashikojmë që të ketë një pakësim me rreth 40 për qind të vlerës së tregut për zyrat”, shton ai.
Çfarë do të ndodhë me qytetin e New Yorkut nëse puna nga shtëpia bëhet normë?
“Unë mendoj se skenari më i keq për qytetet e mëdha, duke përfshirë New Yorkun, është që punonjësit të mos kthehen në zyrë. Do të kemi shumë objekte bosh dhe të lira në qendër të qytetit. Aty ku të ardhurat nga taksat po bien, nuk ka para të mjaftueshme që qyteti të stabilizojë situatën. Dhe kështu hyjmë në një spirale rënieje, në këtë cikël dënimi urban”, thekson Van Nieuwerburgh.
Ndërsa një hulumtim i ri ofron një parashikim të zymtë për tregun e pasurive të paluajtshme komerciale, prona moderne dhe të kushtueshme, si kjo në 425 Park Avenue, po kërkohen për qira afatgjata. Këto ndërtesa ofrojnë mjedise të tilla si dhoma meditimi apo shërbime, si kuzhinierë të njohur, fitues çmimesh “Michelin” që ofrojnë gatime për qiramarrësit, si dhe një bar modern kafeje.
“Ne jemi shumë me fat që partnerët kishin këtë vizion për këtë ndërtesë, sepse ne po tërheqim më shumë klientë, presim qira të tjera të nënshkruhen. Deri tani kemi dhënë me qira rreth 86 për qind deri në 89 për qind të mjediseve”, pohon ai.
Por një pjesë e vogël e ndërtesave të tilla luksoze për zyra përfaqëson vetëm një pjesë të tregut të pasurive të paluajtshme komerciale të Manhattanit.
Për të gjetur një zgjidhje, kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams vizitoi së fundmi një ndërtesë zyrash në Manhattanin e poshtëm, e cila u shndërrua në apartamente.
“Përfundimi është se ne duhet ta bëjmë më të lehtë konvertimin e zyrave, si ajo që sapo vizituam, në banesa për njujorkezët. Ne po flasim për një hapësirë prej miliona metrash katrorë”, thotë Adams.
Me përpjekjet e fundit për të kthyer zyrat në banesa dhe destinacionet kulturore dhe kulinare të qytetit të Nju Jorkut, ka ende shpresë se qyteti do të tërheqë mjaft njerëz për t’i mbijetuar efekteve afatgjata të punës në distancë. /VoA/