Telegrafi

Ndërtesa 10 katëshe në Mitrovicë rrezikon të shembet (Video)

Mungesa e higjienës në objektet banesore është një problem, i cili po i preokupon banorët e komunës së Mitrovicës.

Bodrumi i një objekti banesor që ndodhët tek Stacioni i autobusëve në rrugën “Mbretëresha Teutë” është përfshirë i tëri në ujë.

Një banor, i cili ka dashur të mbetet anonim i ka thënë Telegrafit se druan se mos shembet objekti për shkak të sasisë së madhe të ujit.

“Objekti ka 10 kate. Unë banoj që 5 vite këtu. Ka disa kohë që uji është në këtë nivel diku mbi një metër, dhe përpos ujit ka edhe mbeturina të mëdha”, ka thënë banori.

Ai ka shtuar më pas se janë ankuar edhe në komunën e Mitrovicës, mirëpo nuk kanë hasur në mirëkuptim.

“Kemi bërë ankesë edhe tek pronari i objektit edhe në Komunë. Mirëpo, ankesa jonë nuk është marrë parasysh”, u shpreh banori.

Probleme të tilla ka edhe në objektet banesore në komunat tjera, e kjo më shumë ndodhë për shkak të neglizhencës së kompanive ndërtimore. /Telegrafi/