Stan Lee, njeriu përgjegjës për Marvel Universe, ka ndërruar jetë në moshë 95 vjeçare.
TMZ bën të ditur se në shtëpinë e tij në Hollywood Hills, mëngjesin e të hënës ishte thirrur një autoambulancë dhe ai ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai, ku edhe ka ndërruar jetë.
Lee ka pasur probleme shëndetësore në vitin e fundit dhe ka vuajtur nga pneumonia dhe problemet me shikim.
Stan e kishte nisur brendin Marvel Comics së bashku me Jack Kirby në vitin 1961 me “The Fantastic Four”. Më pas, ai i krijoi karakteret e popullarizuara, si Spider-Man, Black Panther, The Incredible Hulk, X-Men, Iron Man e The Avengers.
Lee ka pasur paraqitje të shkurtër thuajse në të gjithë filmat e Marvel.
Në të kaluarën ai ka pasur edhe mosmarrëveshje me Marvel, kur kompania u përkushtua kryesisht në realizime hollivudiane, ashtu që në vitin 2002 e kishte paditur se i kishte borxh për realizimin e filmit të parë “Spider-Man”. Pas tre vitesh, ata arritën marrëveshje për 10 milionë euro.
“Spider-Man: Into The Spider-Verse”është filmi i fundit nga kjo franshizë që do të lansohet në muajin e ardhshëm.
Lee ka lënë pas vetes vajzën J.C., ndërsa gruaja e tij, Joan, kishte ndërruar jetë në vitin 2017. /Telegrafi/