Aktori amerikan, Luke Perry, ka ndërruar jetë në moshën 52 vjeçare, më pak se një javë prej se pësoi goditje në tru.
Zëdhënësi i tij ka thënë se ai ka qenë i shoqëruar nga familjarët dhe miqtë në çastet e fundit të jetës.
Me të kanë qenë dy fëmijët e aktorit, Jack dhe Sophie, e fejuara Wendy Madison Bauer, ish-gruaja Minnie Sharp, nëna Ann Bennett, njerku Steve Bennett, vëllai Tom Perry dhe motra Amy Coder.
Ai ishte dërguar në një spital në Los Angeles në javën e kaluar, pasi në shtëpinë e tij ishin thirrur shërbimet emergjente.
“Familja e vlerëson mbështetjen e pakusht dhe lutjet që janë bërë për Luke nga e gjithë bota dhe kërkon privatësi në këto çaste zie”, ka thënë zëdhënësi i tij.
Perry u bë i famshëm falë rolit të tij në hit serialin e viteve të nëntëdhjeta, “Beverly Hills, 90210”, ndërsa së fundmi ka qenë i angazhuar në serialin “Riverdale”.
Deri më tani, nuk janë dhënë detaje të tjera në lidhje me vdekjen e aktorit. /Telegrafi/