Klubi basketbollistik Prishtina ka njoftuar për vdekjen e ish-kryetarit dhe anëtarit të bordit të klubit, Veton Kajtazi.
Faqja e klubit Prishtina ka ndarë gjatë mbrëmjes së sotme (e shtunë) një lajm të hidhur për tifozët e saj dhe adhuruesit e sportit, e në veçanti basketbollit.
Klubi kryeqytetas ka njoftuar se është ndarë nga jeta ish-kryetari dhe anëtari i bordit të Prishtinës, Veton Kajtazi.
Postimi pa ndërhyrje i KB Prishtinës
Të dashur qytetarë të Prishtinës dhe adhurues të Klubit të Basketbollit Prishtina,
Me dhembje të thellë ndajmë me ju lajmin e hidhur se para pak çastesh ndërroi jetë ish kryetari dhe anëtari i bordit të klubit Veton Kajtazi.
Vetoni mbi 3 dekada ishte ndër kontribuesit më të mëdhenj të klubit tonë dhe të tij të zemrës. Mendja dhe zemra e tij gjithmonë punonin për Prishtinën. Intelekti dhe kultura e jashtëzakonshme që zotëronte e kanë veçuar personalitetin e tij në çdo situatë, madje edhe në ditët më të vështira të funksionimit të klubit, për të cilin nuk kurseu asgjë nga vetja.
Energjia, pozitiviteti dhe konstruktiviteti që ai rrezatonte në çdo çast e kanë bërë të jetë njëri nga njerëzit më të dashur dhe më të respektuar të klubit, pikërisht ashtu siç e ka njohur një qytet i tërë i Prishtinës.
Humbja e tij do ta lë një zbrazëti të madhe tek të gjithë ne. Mbi të gjitha do të na mungojë zotnillëku dhe buzëqeshja e tij.
Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes lutemi që shpirti i Vetonit të pushojë ne paqe!
/Telegrafi/