Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka ndërruar jetë aktivisti i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shukri Abdullahu.
Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani tha se me dhimbje të thellë e ka marrë lajmin për vdekjen e papritur të Abdullahut.
“Shukriu ishte aktivist i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i angazhuar në organizimin e jetës paralele institucionale në vitet ’90, si dhe në organizimin e mbrojtjes së fshatrave të vijës kufitare me Serbinë, gjatë atyre viteve”.
“Aktivitetin politik Shukriu e vazhdoi edhe pas migrimit në Gjermani. Pas përfundimit të luftës, Shukriu dha kontribut të çmuar në organizimin e jetës institucionale dhe u dallua si humanist në gjithë veprimtarinë e tij”.
“Me vdekjen e tij familja humbi njeriun e dashur e të urtë, ndërsa Prizreni njërin ndër aktivistët e saj më të vyer. Kujtimi për të do të jetë i përhershëm”, ka shkruar Osmani.