Site icon Telegrafi

Vdiq shkrimtari e publicisti, Ramadan Musliu

Ka vdekur Ramadan Musliu – poet, gazetar, kritik, studiues dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës.  Lajmin e ka konfirmuar konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Jam thellësisht i tronditur nga kumti i zi i shkuarjes në amshim të poetit, kritikut letrar e publicistit tonë Ramadan Musliu. Përveç veprimtarisë krijuese e studimore, Ramadan Musliu dha ndihmesë të dallueshme edhe në fushën e informimit dhe të politikës, një herë si deputet i Kuvendit të Kosovës, e pastaj si keshilltar i ministrit të Kulturës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe lexuesve të tij të shumtë!”, shkroi Hoti.

“Letërsia shqipe mbeti pa zërin e saj më kritik dhe krijuesin e veçant! Ne mbetëm pa mikun dhe mbështetësin kurajues! Dan, ike në heshtje, për të lënë pas zhurmën tonë! I përulem kujtimit tënd! U prehësh në paqen e pafund!”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, publicisti Afrim Demiri.

Edhe historiani e shkrimtari Jusuf Buxhovi, tha se kultura mbeti pa një intelektual të madh.

“Lamtumirë miku im, Ramadan Musliu. Kultura jonë mbeti pa krijuesin dhe intelektualin e madh. Ndërsa vepra ime mbeti pa redaktorin dhe mentorin e fjalës së fundit…”, shkroi Buxhovi në Facebook.

Për vdekjen e Musliut ka ngushëlluar edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të poetit, publicistit, kritikut letrar dhe studiuesit Ramadan Musliu. Kontributi i Ramadan Musliut ishte dhe do të mbetet shumëdimensional. Ai ishte njëri prej kritikëve letrarë më të dalluar të letrave shqipe, si poet solli poezinë me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, e si publicist qe i spikatur dhe me dije të thellë kulturore. Vdekja e tij e hershme është humbje e madhe për kulturën dhe artin në përgjithësi në Kosovë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin kulturor në Kosovë dhe për të gjithë ata që patin rastin ta njohin”, thuhet në telegramin e Dumoshit.

Ndërkaq, shkrimtari Ademi Gashi, ka shkruar në Facebook: “Vajti matanë edhe Dani (Ramadan Musliu), miku im i gjeneratës së studimeve, miku im i letrave. Gjettë prehjen e amshimit shpirti i tij! Ngushëllime familjes e miqve!”

Musliu lindi në Beguncë të Komunës së Vitisë më 31 maj 1954. Vlerësohej si një ndër studiuesit e kritikët më serioz e më  të përgatitur shqiptar. /Telegrafi/

Exit mobile version