Site icon Telegrafi

Përplasje mes komisionerëve të LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet për ca kohë numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

(E plotësuar) – Në Qendrën Komunale të Numërimit, në Prishtinë, është ndërprerë për disa minuta numërimi i votave për deputetë në Kuvendin e Kosovës, ku edhe pati probleme fizike.

Po ashtu, bëhet e ditur se ka ndodhur një incident, ku është kërkuar edhe ndërhyrja e policisë, kur vëzhguesit janë përplasur për shpalljen ose jo të një vote të pavlefshme.

Gjithashtu në vendngjarje doli edhe prokurori i rastit.

Mësohet se njëri nga komisionarët e përfshirë në incident është Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një nga komisionerët e tjerë është nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për shkak të këtij incidenti, në këtë Qendër të Numërimit pati ndërprerje për rreth 15 minuta ku më pas ka rifilluar rinumërimi i votave.

Tani procesi i numërimit po shkon sipas rregullave. Derisa në hyrje të kësaj qendre po qëndrojnë disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Procesi i numërimit do të vazhdojë deri në orën 12 pas mesnate.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot në orët e pasdites, ka filluar me procesin e numërimit të votave të subjekteve politike.

Exit mobile version