Telegrafi

Ndërpriten përpjekjet për gjetjen e nëndetëses argjentinase

Flota e Argjentinës tha se i ka ndërprerë përpjekjet për të shpëtuar 44 anëtarët e ekuipazhit në bordin e një nëndetëseje që është zhdukur dy javë më parë në Atlantikun Jugor.

“Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të bëra, nuk ka qenë e mundur gjetja e nëndetëses”, tha zëdhënësi i flotës, Enrique Balbi.

Nëndetësja ARA San Juan ka bërë kontaktin e fundit më 15 nëntor, kur ka raportuar probleme mekanike.

Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve janë zbehur pas një shpërthimi të dyshuar që është raportuar pranë vendndodhjes së fundit të nëndetëses, transmeton Evropa e Lirë.

Përpjekjeve për gjetjen e saj i ishin bashkuar disa shtete, përfshirë: SHBA-në, Rusinë, Gjermaninë, Kanadanë, Brazilin e të tjera, .