Telegrafi

Ndërprerje të pushimeve dhe punë 12 orë në ditë – për çfarë po mobilizohet Policia?

Edhe pse nuk dihet arsyeja e saktë se pse është marrë një vendim i tillë, Drejtoria e Policisë së Kosovës ka marrë vendim me anë të së cilit parashihet që pjesëtarët e Policisë së Kosovë të cilët kanë qenë në pushime të ndryshme, që nga sot janë detyruar ta ndërprenë dhe të dalin në punë.

Siç edhe kanë shkruar mediat vendase, përveç kësaj, derisa ata punonin nga tetë orë, nga sot do të punojnë nga 12 orë.

Thuhet se këtu përjashtim bëhet vetëm për pjesëtarët e Policisë të cilët janë në pushim shëndetësor.

Gjithashtu është bërë e ditur se pjesëtarët e Policisë nuk do të kenë mundësi të marrin pushim, deri në një vendim tjetër të drejtorisë.

Në këtë drejtim, Telegrafi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, duke kërkuar detaje, përkatësisht arsyet e një vendimi të tillë.

Duke mos e mohuar një vendim të tillë, në përgjigjen e Policisë thuhet se Policia e Kosovës është institucion i zbatimit te ligjit, ndër detyrat dhe autorizimet ligjore të saj janë, të mbroj jetën, pronën dhe të ofroj siguri për të gjithë personat, të parandaloj rrezikun ndaj qytetarëve, ta mbajë rendin dhe sigurinë publike.

“Bazuar në autorizimet dhe vlerësimet policore që bëhen në vazhdimësi ndërmerren edhe veprime konkrete me personelin e saj, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë së përgjithshme në vend”, thuhet në përgjigjen e Policisë, duke mos specifikuar arsyen. /Telegrafi/