Site icon Telegrafi

Ndërprerja e energjisë godet Malin e Zi, Bosnjën, Shqipërinë dhe bregdetin e Adriatikut në Kroaci

Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe pjesa më e madhe e bregdetit të Adriatikut në Kroaci, ku temperaturat janë afruar deri në 40 gradë Celsius, kanë përjetuar një ndërprerje të madhe të energjisë, sipas shpërndarësit malazez të energjisë, CEDIS.

“Pothuajse e gjithë zona e Malit të Zi është pa energji për shkak të ndërprerjeve në rrjet”, tha CEDIS.

Bëhet e ditur se pa energji elektrike ishin Sarajeva dhe qytetet e Banja Lukës dhe Mostarit.

Por, mediat lokale kanë raportuar ndërprerje të energjisë në të gjithë vendin, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, ndërmarrja energjetike HEP e Kroacisë, tha se ndërprerja ishte shkaktuar nga “një shqetësim ndërkombëtar që preku disa vende”.

“Operatori kroat i sistemit të transmetimit po kryen një analizë me operatorët e sistemit të vendeve fqinje për të përcaktuar shkakun”, tha HEP.

Gjithashtu, Kroacia njoftoi se ka vënë në funksion të plotë kapacitetet e veta prodhuese për të siguruar “furnizim në kohën më të shkurtër të mundshme”.

Sipas televizionit shtetëror kroat, HRT, pa energji elektrike ka mbetur edhe bregdeti i Adriatikut në Kroaci.

HRT tha se trafiku në qytetin bregdetar të Splitit është ndalur, pasi semaforët kanë ndaluar së funksionuari.

Ndërkohë, edhe transmetuesi televiziv shqiptar, Top Channel, tha se një sërë qytetesh në Shqipëri, përfshirë Tiranën, kanë përjetuar ndërprerje të energjisë elektrike. /Telegrafi/

Exit mobile version