Ceremonia mortore e ish-presidentit francez Jacques Chirac ka filluar sot në Paris në kishën Shën Sulpis, e që nga fillimi i ceremonisë është bërë me nderime ushtarake duke u intonuar himni kombëtar, shkruan AP.
Arkivoli i Chirac është mbuluar me flamurin kombëtar francez, ku më pas është nisur për në varreza, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në kishë, ku ka mbajtur fjalim para të pranishmëve ku kishin marrë pjesë shumë zyrtarë të lartë politikë të Francës, duke filluar nga ish-presidentët Nicola Sarkozy dhe Francois Hollande.
Në varrim kanë marrë pjesë edhe shumë krerë të vendeve të ndryshme të botës siç është ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ai aktual i Rusisë, Vladimir Putin si dhe ish-kancelari gjerman Gerhard Shroder dhe mbreti i Jordanisë, Abdullah.
Siç raportojnë mediat franceze, ceremonia private varrimit do të mbahet në varrezat e Monparnas, ku do të pushojë përgjithmonë pranë vajzë Lorans që ka ndërruar jetë në vitin 2016.
Mijëra njerëz kishin dalë rrugëve të Parisit për t’i dhënë lamtumirën e fundit, ashtu sikurse edhe liderët nga vendet e ndryshme të botës që ishin mbledhë për t’u përshëndetur me mikun e tyre.
Kujtojmë që Chirac ka vdekur më 26 shtator në Paris në moshën 86-vjeçare. Ai ishte president i Francës për dy mandate nga 1995 deri më 2002 dhe 2002 deri më 2007, kurse më parë ka qenë kryeministër i vendit dhe kryetar i Parisit. /Telegrafi/