Sipas raportimeve nga Italia, Zlatan Ibrahimovic ka ndërhyrë personalisht për të qetësuar situatën mes trajnerit të Milanit, Sergio Conceicao dhe kapitenit Davide Calabria.
Të dy palët patën një përplasje të ashpër verbale pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit në fitoren me rezultat 3-2 ndaj Parmas në ‘San Siro’.
Gjatë festimeve, Calabria tha diçka që zemëroi Conceicaon, i cili më pas u desh që të mbahej nga lojtarët e tjerë për të evituar ndonjë kontakt fizik.
Sky Sport Italia ka bërë me dije se këshilltari i veçantë Ibrahimovic, ishte shumë i rëndësishëm në zgjidhjen e këtij problemi, duke shkuar direkt në zhveshtore pas ndeshjes.
Ai i uli që të dy dhe diskutoi me ta, ndërsa më pas urdhëroi Calabrian që të flasë i pari para mediave dhe të përgënjeshtrojë lajmet se situata ka dalë jashtë kontrollit.
Ibrahimovic gjithashtu bisedoi edhe me Conceicaon për rreth 30 minuta në vetmi në zhveshtore, dhe kjo është arsyeja pse trajneri u vonua në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Si një ish-lojtar dhe tani një drejtor që punon me pronarët e klubit RedBird, ka pasur shumë pikëpyetje se për çfarë saktësisht qëndron roli i Ibrahimovic tek ‘Rossonerët’./Telegrafi/