Site icon Telegrafi

“Ndante informacione me BIA-n e Serbisë”, kërkohet paraburgim për Aleksander Vlajiqin – i arrestuar për spiunazh

Foto: Ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se kundër të pandehurit: A.V. i  ka paraqitur sot kërkesë për caktimin e paraburgimit gjyqtarit të Procedurës Paraprake, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Aleksander Vlajiq, është arrestuar të mërkurën në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për spiunazh.

Deri te arrestimi i Vlajiqit ka ardhur pas informacioneve të cilat i ka siguruar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Lexo po ashtu Në rajonin e Mitrovicës arrestohet një i dyshuar për spiunazh

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, thuhej se “pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person”.

Pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Aleksandar Vlajiq, të mërkurën në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për spiunazh ka reaguar njohësi i sigurisë, Agim Musliu.

Musliu përmes një postimi në platformën X ka shkruar se Instituti Octopus ka zbuluar se Vlajiq ndante informacione me BIA-në serbe dhe kishte një rrjet të madh burimesh.

“Një tjetër i arrestuar për spiunazh në Kosovë. Këtë herë i arrestuari është serb (Aleksandar Vlajiq), i cili dikur ka shërbyer në inteligjencën e Policisë së Kosovës. Instituti Octopus zbulon se Vlajiq ndante informacione me BIA e Serbisë dhe kishte një rrjet të madh burimesh informacioni”, ka shkruar Musliu. /Telegrafi/

Exit mobile version