Një gjykatës ka urdhëruar që gjigandi i rrjeteve sociale X, i njohur më parë si Twitter, të ndalohet së funksionuari në Brazil.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, e solli këtë vendim pasi pronari miliarder i platformës, Elon Musk, nuk arriti të dërgonte një përfaqësues ligjor në Brazil.
Gjyqtari dhe Musk janë grindur në publik për muaj të tërë pasi X nuk respektoi urdhrat ligjore për të bllokuar disa llogari për përhapjen e lajmeve të rreme dhe urrejtjes, shkruan skynews.
Në vendim, gjyqtari urdhëroi gjithashtu pagesën e gjobave që arrinin në 18.5 milionë reais (3 milionë euro).
They’re shutting down the #1 source of truth in Brazil https://t.co/RasqcQ3ySM
— Elon Musk (@elonmusk) August 30, 2024
Kushdo që përdor rrjete private virtuale (VPN) për të anashkaluar bllokimin dhe qasjen në X, mund të gjobitet deri në 50 mijë reai në ditë – e barabartë me gati 8400 euro.
Duke iu përgjigjur vendimit në një seri postimesh në X, Musk tha se Brazili “po mbyll burimin numër 1 të së vërtetës” dhe “regjimi i tij shtypës” është “i frikësuar pasi njerëzit po mësojnë të vërtetën”.
Ndryshe, Brazili është një treg i rëndësishëm për X, i cili ka luftuar me humbjen e reklamuesve që kur Musku bleu kompaninë në vitin 2022.
Sipas grupit të kërkimit të tregut Emarketer, rreth 40 milionë brazilianë – afërsisht 20 për qind e popullsisë – përdorin platformën të paktën një herë në muaj. /Telegrafi/