Personi me inicialet I.P i cili dyshohet se ka grisur librin e shenjtë Kuranin është ndaluar me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
Kozmaqi tha se personi I.P dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur konfirmoj se me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është ndaluar një person me inicialet I.P. I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale – Nxitja e përçarjes dhe mos durimit, e sanksionuar me nenin 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në këtë fazë ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, ka thënë Kozmaqi.
Ndërkaq, nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se drejtoria Kundër Terrorizmit me Drejtorinë Rajonale Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, sot ka arrestuar një person mashkull kosovar, i dyshuar për veprën penale nga KPK Neni 141 “Nxitja e urrejtjes përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Sipas njoftimit thuhet se lidhur me këtë rast po ashtu është bastisur shtëpia ku jeton i dyshuari në rajonin e Prizrenit.
“Personi në fjalë ka të kaluar kriminale për Vrasje, Dhunë në Familje dhe Kanosje, po ashtu i njëjti vuan nga një sëmundje psikike si dhe ka pranuar tretman psikiatrik obligativ”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/