Telegrafi

Ndalohet për 48 orë doktori në Gjilan, pasi një gruaje i vdiq foshnja gjatë lindjes

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar për 48 orë një doktor të Spitalit të Gjilanit, pasi një gruaje i ka vdekur foshnja gjatë procesit së lindjes.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast ka ndaluar një person, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit i dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh”, tha ajo.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar sot se arrestimi i doktorit ka ndodhur ditën e premte, pas raportimit të rastit nga gruaja e cila ka humbur foshnjën.

“Viktima femër kosovare ka informuar se gjatë lindjes në repartin e gjinekologjisë, foshnja e saj ka vdekur. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar (doktor) dhe është dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftimi e Policisë. /Telegrafi/