Telegrafi

​Ndalohet një person për armëmbajtje pa leje në Kaçanik

Policia e Kosovës në Kaçanik, sot rreth orës 17:00 ka pranuar një informacion se gjatë një ahengu familjar në një restorant në fshatin Doganaj ka të shtëna me armë zjarri.

Në lidhje me këtë policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë është nisur në atë drejtim dhe ka arritur të identifikojë të dyshuarin A.G. (19), i cili dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri, thuhet në një komunikatë për media.

I njëjti është shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa është konfiskuar arma e zjarrit. Rasti është cilësuar “armëmbajtje pa leje dhe përdorimi i armës”.