Gazetari investigativ Artan Hoxha është ndaluar nga policia mbrëmjen e sotme në përfundim të emisionit “Opinion”.
Ai do të dërgohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku do të merret në pyetje për nxjerrje të sekretit hetimor lidhur me çështjen e rrëzimit të avionit në Ishëm.
Por çfarë deklaroi Hoxha në emision? Gazetari mori një sms në celularin e tij, me siguri nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, dhe tha se piloti italian kishte pranuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që fluturoi drejt Shqipërisë për të provuar nëse funksiononte pista e improvizuar në Ishëm.
Më tej ai bashkëpunoi me hetuesit, duke deklaruar se ishte kontraktuar nga një rrjet i fuqishëm kriminal për të transportuar kanabis nga Shqipëria drejt Italisë. Piloti u ka dhënë hetuesve edhe emrat e personave që e kanë kontraktuar.
Bërja publike e një informacioni të tillë nga gazetari Hoxha përbën nxjerrje të sekrerit hetimor sipas prokurorisë, pasi u jep kohë porositësve të pilotit të zhdukin provat dhe të marrin masat. Por vetë gazetari është shprehur në momentet e para se janē të paqarta arsyet e shoqërimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. /Opinion.al/