Telegrafi

Ndalohet i dyshuari për narkotikë, e kërkonte INTERPOL-i

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, bazuar në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, ka ndaluar të pandehurin Sedat Ramadani–shtetas i Republikës së Maqedonisë, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

I pandehuri ka qenë në kërkim nga INTERPOL, në bazë të një fletë arresti të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Austrisë dhe i njëjti është ndaluar duke hyrë në territorin e Kosovës nga Republika e Serbisë.

“Dyshohet që më 06 gusht 2018, i pandehuri në qytetin e Vjenës, ka kryer veprën penale, e cila është e sanksionuar sipas akteve ligjore mbi Drogat dhe narkotikët e shtetit Austriak, ose veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope ose analoge’, e paraparë në nenin 273 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që te i njëjti janë gjetur 8 kilogramë substancë narkotike, e llojit ‘Kanabis'”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/