Telegrafi

Ndalohen tre të mitur, tentuan të kryejnë vjedhje në Katedralen “Nënë Tereza”

Sot rreth orës 16:45 tre persona kanë tentuar të kryejnë vjedhje në arken e Katedrales “Nën Tereza” në Prishtinë, të cilët janë ndaluar dhe janë shoqëruar në Polici.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në stacionin policor janë shoqëruar tre të mitur meshkuj nga komuniteti rom.

“Rreth orës 17:00 Policia ka marrë informatën lidhur me dyshimet për një tentim vjedhjeje në arkën e Katedrales. Menjëherë pas informatës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me personin përgjegjës të Katedrales. Ndërkohë që janë shoqëruar në stacionin policor tre të mitur, meshkuj rom, shtetas  kosovarë, të cilët dyshohet të kenë tentuar të kryejnë një vepër të tillë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Policia ka nisur hetimin për këtë ngjarje.

“Aktualisht Policia ka nisur hetimin preliminar lidhur me rrethanat e kësaj ngjarje”, ka thënë ai./Telegrafi/