Prokuroria Themelore në Gjilan njoftoi të premten se ka ndaluar tre persona, lidhur me vetaksidentin me fatalitet që ndodhi një ditë më parë ku si pasojë një 28-vjeçar ndërroi jetë.
Sipas prokurorisë, F.A. dhe B.A., janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme” dhe “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, dhe të dyshuarin L.M., për shkak të veprës penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën”, thuhet në komunikatën për media.
Po ashtu, dyshohet se pas vetaksidentit, të dyshuarit – vozitësit F.A. dhe B.A., si dhe i dyshuari – pasagjeri L.M., nuk i kanë dhënë ndihmë tani të ndjerit L.R., duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
“Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale”, bëhet e ditur më tej në njoftim.
Lidhur me aksidentin, për Telegrafin të enjten kanë folur nga Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.
“Sot, më 25.01.2024 rreth orës 00:50 Policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan ka pranuar informacion se ka ndodhur një vetë aksident trafiku në fshatin Miresh i Vogël, aksi rrugor Gjilan-Dheu i Bardhë. Hetues policorë nga njësiti i trafikut rajonal së bashku me ekipin e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Si pasojë e këtij vetë aksidenti drejtuesi i automjetit me traga vendore i vitit të lindjes 1996 (mashkull kosovar shqiptar) nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku kujdestar, ndërsa pasagjeri i këtij automjeti është transferuar me autoambulancë në qendrën emergjente në spitalin rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor”, thuhej në njoftim.
Në vendin e ngjarjes bëhej e ditur se ka dalë edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore për obduksion. /Telegrafi/