Shoferi i një kombi i cili voziste me shpejtësi të madhe në autostradën “Ibrahim Rugova”, pas ndjekjes nga Policia ka hyrë në një oborr privat dhe është arratisur në drejtim të panjohur, duke lënë aty 19 shtetas sirianë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Kosovë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 07:55 në fshatin Vlashnje, të Prizrenit.
“Një person i panjohur i cili ngiste me shpejtësi të madhe automjetin e markës kombi, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, në ndjekje të Policisë ka hyrë në oborrin privat në fshatin Vlashnje të Prizrenit dhe është arratisur në drejtim të panjohur. Në automjetin e braktisur janë gjetur 19 persona, shtetas sirianë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Kosovë”, thuhet në raport.
Tutje në raport thuhet se automjeti është sekuestruar, ndërsa me migrantët do të merret njësiti përkatës i migrimit. /Telegrafi/