Site icon Telegrafi

Ndalja e keqmenaxhimit në Telekomit, zgjidhje për këtë ndërmarrje

Zgjidhja e problemeve financiare në Telekomin e Kosovës mund të bëhet vetëm duke ndalur keqmenaxhimin që po i bëhet nga politika.

Kështu thanë ekspertë të fushës së telekomunikacionit në tryezën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, me temën “Telekomi i Kosovës, gjendja, shkaqet, zgjidhja.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se dikur Telekomi i Kosovës i sillte me dhjetëra milionë euro dividentë vendit, ndërsa tani ka ardhur në gjendje për të pasur problem me pagesat e punëtorëve.

Sipas tij, kompania më fitimprurëse e Kosovës, aktualisht është në krizë si biznes, por jo si pasuri.

“Prej tenderëve të kurdisur të Z-mobile, e për Z-mobile, e deri të ushtruesi më i ri i detyrës së kryeshefit ekzekutiv që vinte si kryetar i degës së AAK-së në Drenas, korrupsioni e krimi nuk janë ndalë në Telekomin e Kosovës”, tha Kurti.

Eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, i cili ehstw pjesw e VV-sw, ka folur rreth shkaqeve që e kanë sjellë Telekomin e Kosovës në këtë gjendje dhe hapat që duhet ndërmarrë për të stabilizuar gjendjen në kompani. Madje, sipas tij, në këtë gjendje kompaninë më fitimprurëse e kanë sjellë politika dhe politikanët.

“Në këtë gjendje është vetëm për një arsye sepse të hyrat e Telekomit plaçkiten. Kemi institucione, kemi Qeveri, kemi rregullator, kemi të gjitha të zezat e të mirat i kemi, por nuk vepron kush”, tha Hamiti.

Sipas tij, nuk ka askund në botë që një biznes me vetëdije t’i bëjë vetes konkurrencë, sikurse ka bërë Telekomi i Kosovës, kur ka shpallur tenderë për operatorin virtual të telefonisë mobile ish-Dardafonin, tash Z-Mobile.

“Zgjedhja është ndërprerja e plaçkitjes në këtë rast. Kjo është zgjedhja për Telekomin. Ky është shembull shkollor i krimit të organizuar lehtësisht i provueshëm. Prandaj, prokuroria e ka në dorë t’i jap fund plaçkitjes së Telekomit, duhet vetëm të paguhet, asgjë tjetër. Konkretisht duhet të ndërpres urgjentisht të suspendoj këtë kontratë dhe të hetoj kontratën në origjinën e vet, deri në ditët e sotme, e aty janë shumë pjesëmarrës për atë arsye është krim i organizuar. Ka ata që e nisën, ata që e realizuan, ata që e licencuan, të gjithë i ka me emër e me mbiemër”, u shpreh Hamiti, shkruan KosovaPress.

Profesori Salem Lepaja, ka paraqitur masat që duhet të ndërmerren për zgjidhjen e problemit në Telekomin e Kosovës.

“E para, Prokuroria e Shtetit të suspendoj menjëherë kontratën jo ligjore dhe të dëmshme mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon-Z-Mobile i tanishëm. E dyta, Te formohet grupi për menaxhimin e krizës i përbërë nga profesionistë të telekomunikacionit dhe ekonomist me detyrë që ta nxjerrin Telekomin e Kosovës nga kriza në një afat dyvjeçar. E treta, grupi menaxhues i krizës duhet t’i ketë autorizimet e plota për veprimet e domosdoshme për kthimin e telekomit në gjendje normale. Katërt, ky grup duhet ta bëjë ristrukturimin e brendshëm të telekomit. Dhe e pesta, e fundit, puna e grupit për menaxhimin e krizës t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së ndërgjegjshme publike, përfshirë raportimin periodik tremujor në Kuvendin e Kosovës”, tha Lepaja. /Kp/Telegrafi/

Exit mobile version