Site icon Telegrafi

Ndalimi i zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Zogaj intervistohet nga Policia në cilësinë e dëshmitarit

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka konfirmuar se është intervistuar pasditen e kësaj të premte nga Policia e Kosovës në cilësinë e dëshmitarit.

Ai ka bërë të ditur se intervistimi i tij është bërë lidhur me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lexo po ashtu Ndalohen dy zyrtarë të lartë të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës

“Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Zogaj në Facebook.

Ai tutje ka thënë se institucionet e rendit dhe të drejtësisë janë duke e trajtuar këtë rast dhe “ne mbesim në dispozicion e tyre, që rasti të trajtohet në plotni në pajtim me legjislacionin në fuqi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të Qendrën për Punë Sociale në kryeqytet kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit, të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version