Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.
Sipas saj, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro.
Lidhur me këtë vendim, shefi i zyrës së BE-së në Prishtinës, Tomas Szunyog ka zhvilluar sot takim me Guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili.
Szunyog e ka pyetur Ismailin për punën e zbatimit të këtij vendimi pasi që pritet të ndikojë sidomos në jetesën e qytetarëve në zonat e banuara me shumicë serbe.
Ai ka thënë se është shqetësuese që ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores.
“U takova me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dhe diskutuam rregulloren e ndryshuar për operacionet me para të gatshme, e cila gjithashtu rregullon procesin e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera që dyshohet se janë të falsifikuara.
E pyeta edhe se si do të zbatohet pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreha shqetësimin për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores”, ka shkruar Szunyog. /Telegrafi/
Inquired how it will be implemented, as it is expected to particularly affect the livelihood of the citizens in the Serb-majority community areas. Expressed concern about the fact that there is very little time for adaptation before the regulation enters into force (2/2).
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) January 23, 2024