Site icon Telegrafi

Ndalimi i dinarit serb, sondazhi i Telegrafit: A mendoni se BQK duhet ta pezullojë këtë vendim?

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.

Sipas saj, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro.

Lidhur me këtë vendim kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe vendet e QUINT-it. Ato kanë kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij vendimi.

“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUNIT kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”, thuhej në deklaratën e përbashkët nga ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Madje të njëjtën kërkesë për pezullim të zbatimit të këtij vendimi e ka bërë edhe ambsadaori amerikan, Jeff Hovenier.

“Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, ka shkruar Hovenier.
Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

Por, këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

Në sondazhin më poshtë mund të shprehni mendimin tuaj lidhur me kërkesën e ndërkombëtarëve për pezullimin e këtij vendimi. A mendoni se BQK-ja duhet ta bëjë një gjë të tillë. /Telegrafi/


Exit mobile version