Telegrafi

Ndalet rryma në një spital në Kili, kirurgët detyrohen të përdorin celularët për të vazhduar operacionin në tru

Disa pamje të publikuara nga mediat e huaja thuhet se tregojnë momentin kur kirurgë neurologë detyrohen të përdorin celularët e tyre për të bërë dritë, ndërsa largojnë një tumor, pas ndërprerjes së energjisë elektrike.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, operacioni u zhvillua në Spitalin Barros Luco Trudeau në San Miguel, Kili, dhe më vonë u nda në Facebook.

Raportohej se një pacient 34-vjeçar po i nënshtrohej operacionit të trurit për një tumor kur u filmuan pamjet.

Zyrtari shëndetësor Arturo Zuniga tha për mediat lokale se sistemi automatik për gjeneratorët nuk u aktivizua kur një ndërprerje e energjisë goditi zonën.

Zuniga gjithashtu sqaroi se objektet spitalore janë në proces të azhurnimit, por u zotua të hapë një hetim mbi incidentin për të siguruar familjen e pacientit me të gjitha faktet.

Ai tha se anëtarët e familjes ishin informuar për incidentin pas mbarimit të operacionit, dhe gjithashtu kreditoi stafin e spitalit për punën e mirë në kushte të vështira.

Motra e pacientit, Paulina, pohoi se ai duhej t’i nënshtrohej një operacioni tjetër disa ditë më vonë pasi pësoi një gjakderdhje, sipas mediave lokale.

Raportet shtojnë se ai është ende duke u trajtuar në njësinë e kujdesit intensiv, me ekipin e neurokirurgëve që nuk pranojnë të kryejnë më shumë operacione deri sa të garantohen standardet minimale nga spitali.

Ndërkohë mediat lokale raportojnë se e pacientit po planifikon të hedhë në gjyq spitalin. /Telegrafi/