Mirlind Daku është duke u hetuar nga UEFA për pretendimet se mori altoparlantin dhe përdori fjalë fyese ndaj serbëve dhe maqedonasve pas ndeshjes së Shqipërisë me Kroacisë.
Sulmuesi aktualisht luan për Rubin Kazanin në kampionatin e Rusisë dhe nga ky klub kanë reaguar për veprimin e Dakut
Rubin Kazani ka njoftuar përmes faqes zyrtare që ndaj Daku do të zbatohen sanksione disiplinore dhe financiare.
“Sulmuesi Mirlind Daku i lejoi vetes thirrje fyese pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Klubi ynë merr përgjegjësinë për atë që ndodhi. Rubini përfaqëson një ekip shumëkombësh dhe i përmbahet gjithnjë parimeve të respektit dhe barazisë, duke dënuar kategorikisht çdo formë diskriminimi dhe fyerje në baza kombëtare, fetare apo racore”.
“Pas kthimit në ambientet e klubit ndaj futbollistit do të zbatohen sanksione disiplinore dhe financiare. Një bisedë shpjeguese do të zhvillohet edhe me lojtarët tjerë për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen”, shkruan në komunikatë klubi i Rubin Kazanit. /Telegrafi/