Site icon Telegrafi

Ndaj këtyre pamjeve reagon edhe kryeministri italian – kritikon Erdoganin për trajtimin që i bëri shefes së Komisionit Evropian

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, etiketoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan si një “diktator” ndërsa ai drejtoi akuza në drejtim të udhëheqësit turk, për trajtimin e tij ndaj presidentes së Komisionit të BE-së, në një takim.

Ndryshe, Ursula von der Leyen ishte në Ankara të martën së bashku me shefin e Këshillit Evropian Charles Michel për një takim me Erdogan mbi marrëdhëniet Turqi-BE.

Dhe pamjet e xhiruara brenda pallatit presidencial treguan të dy burrat duke zënë vendet së bashku, ndërsa von der Leyen u la e detyruar të ulej larg nga burrat në një divan.

I pyetur për incidentin në një konferencë shtypi, Draghi tha “Unë isha shumë i pakënaqur nga poshtërimi që presidentja von der Leyen kishte pësuar”, duke shtuar: “Por me këta diktatorë … duhet të jesh i sinqertë në shprehjen e ndryshimeve të pikëpamjeve… por gjithashtu i gatshëm për të bashkëpunuar…”.

Ndaj një deklarate të tillë ka ardhur edhe reagimi i ministrit të jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, i cili i është përgjigjur përmes Twitter: “Ne dënojmë me forcë retorikën e papranueshme populiste të kryeministrit italian Draghi dhe deklaratat e tij të shëmtuara për presidentin tonë të zgjedhur”.

Erdogan është përballur me një valë kritikash pas incidentit, i cili erdhi menjëherë pasi ai tërhoqi Turqinë nga Konventa e Stambollit, një traktat ndërkombëtar për parandalimin e dhunës në familje.

Ndërkohë Turqia pretendon se ndoqi “kërkesat e palës BE” dhe se njësitë e protokollit të të dy palëve punuan së bashku.

Ndërsa Këshilli Evropian lëshoi një deklaratë të enjten duke pretenduar se shërbimi i tij protokoll nuk kishte qenë në gjendje të shihte dhomën e takimeve sepse Turqia e konsideroi atë “shumë afër zyrës së Presidentit Erdogan”. /Telegrafi/

Exit mobile version