Telegrafi

“Ndaj Bayern Munich nuk është lojë për titull, kënaqësi të punosh me Xhakën” – Alonso flet për derbin e Bundesligës dhe lojtarin e tij kryesor

Bayer Leverkusen do të presë Bayern Munich këtë fundjavë, në sfidën e javës së 21-të në Bundesliga, ku trajneri Xabi Alonso ka folur për ndeshjen, por edhe për lojtarin e tij kryesor Granit Xhakën.

Për kryesuesit e kampionatit gjerman kjo do të jetë një provë e rëndësishme drejt misionit, titull dhe Alonso theksoi se skuadra e tij është gati dhe beson te një rezultat pozitiv.

“Të shtunën ne kemi mundësinë të përjetojmë një atmosferë unike në stadium. Është një moment i veçantë për të gjithë ne dhe po e shijojmë këtë moment. Ndaj Bayernit nuk duhet të mendojmë për klasifikimin, sepse do ndikonte për keq”.

“Na duhet një ndeshje perfekte sepse kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, të gjithë e dimë këtë. Unë dua që skuadra të luajë lojën e saj, besojmë te një rezultat pozitiv, por personalisht nuk mendoj se kjo sfidë vendos titullin”, ka thënë Alonso.

Lexo po ashtu Njeriu që emëroi Alonson si trajner të Bayer Leverkusen po i bashkohet Liverpoolit

Spanjolli vlerësoi maksimalisht edhe Granit Xhakën, duke thënë se është kënaqësi të punohet me lojtar si ai.

“Graniti është jashtëzakonisht i fortë si fizikisht dhe mendërisht, shumë konkurrues, i jep një kuptim të jashtëzakonshëm lojës dhe ka një ndikim të madh te e gjithë skuadra”.

“Ai komunikon shumë dhe shokët e tij i besojnë atij. Ne po përfitojmë shumë prej tij. Është thjesht një kënaqësi të punosh me lojtarë si Graniti”, ka thënë Alonso. /Telegrafi/