Një projekt me rëndësi rajonale synon të rrisë bashkëpunimin tregtar e afrojë parametrat e transportit rrugor të mallrave në Ballkan.
Shawn W. Tan, drejtues i ekipit për zbatimin e projektit flet ekskluzivisht për DW.
DW: Si do ta përshkruani ju gjendjen e transportit rrugor të mallrave në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe mundësitë që ofron për t‘u lidhur me vendet anëtare të BE?
Shawn W. Tan: Tregtia e mallrave në Ballkanin Perëndimor nuk pengohet nga tarifat doganore. Vendet e këtij rajoni janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) në sajë, të së cilës janë hequr tarifat për mallra industriale dhe janë reduktuar dukshëm tarifat për produktet bujqësore. Shumë vende të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar gjithashtu Marrëveshjet e Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, gjë që u mundëson një hyrje, qasje pa tarifa në tregjet e vendeve të tij anëtare. Pjesën më të madhe të kostos së eksport-importit e marrin inspektimet dhe procedurat e zhdoganimit në pikat e kalimit kufitar, që kërkojnë shumë kohë dhe nuk janë në linjë me ato në vendet e BE.
DW: Ju do të jeni pjesë e menaxhimit të projektit rajonal për modernizimin e transportit rrugor të mallrave në vendet e Ballkanit Perëndimor. A është ky projekt pjesë e paketës së projekteve rajonale për të rritur bashkëpunimin rajonal mes vendeve të rajonit, pra projekteve në infrastrukture në kuadër të procesit të Berlinit dhe cilat janë drejtimet e tij kryesore?
Shawn W. Tan: Po, ky projekt është pjesë e agjendës së “connectivitet” në kuadër të Procesit të Berlinit. Ai synon të reduktojë kostot e tregtisë me ngritjen e një Sporteli të vetëm Kombëtar në pikat kufitare, që pritet të përmirësojë transparencën dhe integritetin, të ulë kostot e transaksioneve tregtare, përmirësojë koordinimin mes agjensive tregtare dhe zvogëlojë kohën e kalimit të mallrave në pikat doganore.
Përveç kësaj zbatimi i tij do të rrisë efikasitetin e transportit përmes instalimit të një sistemi inteligjent që do të bëjë të mundur një transport më të sigurt dhe më efikas. Modernizimi i tij do të zvogëlojë gjithashtu kohën e udhëtimit të tregtarëve nga një vend i rajonit në tjetrin si edhe nga fabrikat dhe magazinat e tyre të mallrave. Përfundimisht, projekti do të mundësojë ngritjen e një pike të përbashkët të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe një sportel të vetëm, one-stop shop, për transportin rrugor të mallrave, (të ngjashme me pikën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës) gjë që do të zvogëlojë kohën e kalimit kufitar.
DW: A merr projekti në konsideratë rëndësinë që ka lidhja e transportit rrugor të Ballkanit Perëndimor me korridoret evropiane të transportit që përshkojnë rajonin, pra që edhe lidhja mes tyre të modernizohet?
Shawn W.Tan: Po. Projekti i Modernizimit të Transportit Rrugor të Mallrave në Ballkanin Perendimor ka komponentë që do të modernizojnë Korridoret Evropiane të Transportit, që përshkojnë rajonin. Sistemet Inteligjente të Transportit, si komponent i këtij projekti, do të instalohen në pjesë të korridorit në Maqedoninë Veriore dhe në Serbi. Përmirësimi i pikave të kalimit kufitar në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut do të bëhen në Korridorin e VIII (tetë) dhe përmirësimet në pikat e kalimit kufitar për Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë do të bëhen në Korridorin e X (dhjetë). Ky projekt do të ndihmojë zhvillimin e tregtisë mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu do të lidhë rajonin me vendet e BE dhe më gjerë.
DW: Cilat janë konkretisht pikat e kalimit kufitar që do të përmirësohen nga zbatimi i këtij projekti?
Shawn W. Tan: Do të përmirësohen pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Përveç kësaj, komponenti i projektit, për një Sportel të vetëm Kombëtar në pikat e kalimit kufitar do të përmirësojë koordinimin mes doganave dhe agjencive kufitare, gjë që do të ndihmojë për të reduktuar kohën e pritjes për transportin/kalimin e mallrave në kufi.
DW: Kur fillon projekti dhe në sa faza do të kalojë?
Shawn W. Tan: Zbatimi i projektit do të fillojë në kohë të ndryshme në secilin vend të Ballkanit Perëndimor, që nga Tetori 2019 deri në Shkurt 2020. Projekti përmban shumë komponentë dhe zbatimi i tij do të fillojë paralelisht.
DW: Sa është kostoja e këtij projekti rajonal? A është siguruar financimi i tij?
Shawn W. Tan: Kostoja totale e zbatimit të projektit është 90 milionë dollarë. Banka Botërore e ka miratuar kredinë për këtë projekt. /DW/