Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka pranuar një donacion nga Fondacioni Soros, me vlerë prej 1.5 milion eurosh për të blerë teste PCR për nevoja të institucioneve publike shëndetësore në Kosovë.
Zemaj njoftoi përmes një postimi në Facebook se këtë donacion e ka pranuar nga drejtori ekzekutiv i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS).
“Ky do të jetë një kontribut i vlefshëm në rritjen e fuqisë testuese për diagnostikimin e infeksionit Covid-19 në Kosovë dhe gjithashtu edhe për krijimin e mundësive më të mëdha për rritjen e testimeve molekulare”, shkruan Zemaj.
Postimi i plotë:
Donacioni i radhës na vjen nga Soros.
Në takimin e sotëm me z. Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS), u informova se Fondacioni Soros ka ndarë 1.5 milionë euro donacion për të blerë teste PCR për nevoja të institucioneve publike shëndetësore në Kosovë.
Ky do të jetë një kontribut i vlefshëm në rritjen e fuqisë testuese për diagnostikimin e infeksionit Covid-19 në Kosovë dhe gjithashtu edhe për krijimin e mundësive më të mëdha për rritjen e testimeve molekulare.
Shpreha falënderimin në emër të Ministrisë së Shëndetësisë për përkrahjen e këtij segmenti të rëndësishëm në luftën kundër Covid-19
Gjithashtu falënderoj edhe kryeministrin z. Avdullah Hoti për angazhimin e tij për dhe rreth këtij donacioni duke inicuar atë. /Telegrafi/