Site icon Telegrafi

NCEU i reagon Bislimit: Etiketimet e juaja janë kundër frymës së dialogut

Konventa Kombëtare e Bashkimit Evropian (NCEU), ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Në reagimin e tyre thuhet se etiketimet e Bislimit ndaj organizatave të shoqërisë civile janë kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane, dhe se të njëjtat janë sulme të pabaza.

“Konventa Kombëtare e Bashkimit Evropian është një rrjet i organizatave të shoqërisë civile që është i pavarur në punën e saj dhe nuk përfaqëson pikëpamjet e asnjë organi shtetëror, organizatë dypalëshe apo ndërkombëtare.

Grupi i Punës për Kapitullin 35 po punon në mënyrë aktive për të monitoruar, përmirësuar dhe promovuar procesin e dialogut të normalizimit, si dhe pajtimin ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu Bislimi kritikon ashpër Lajçakun për qasje jo-neutrale në dialogun Kosovë-Serbi

NCEU shton se nuk e shohin dialogun si një rivalitet mes dy palëve armiqësore, por si një proces që duhet të mundësojë paqe të qëndrueshme, një jetë më të mirë për të gjithë njerëzit pa dallim kombësie apo etnie, si dhe prosperitet për të gjithë rajonin.

“Puna e Grupit Punues është e hapur për publikun dhe nga rezultatet tona përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit në dialog, përfshirë z. Bislimi. Etiketimi i organizatave të shoqërisë civile nga z. Bislimi është kundër frymës së Dialogut, kundër vlerave evropiane dhe parimeve demokratike. Prandaj, konsiderojmë se sjellja e tij duhet të dënohet nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Quintit”, thuhet mes tjerash në reagim.

Zëvendëskryeministri Bislimi të mërkurën kritikoi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për qasje jo të drejtë dhe jo neutrale në procesin e normalizimit.
Bislimi ka reaguar pasi Lajçaku të martën në një postim shkroi për një takim me përfaqësues të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), por nuk tregoi se ishte NCEU e Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version