Vëllai i veprimtarit të zhdukur të LDK-së, Ismail Bërbatovcit, Nazmi Berbatovci ka rrëfyer se si është zhdukur vëllai i tij për të mos u gjendur më.
Berbatovci, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se me 28 korrik të vitit 1998 është njoftuar nga një kushëri që ishte pjesëtar i logjistikës në UÇK-së se vëllai është ndaluar nga UÇK-ja për një bisedë informative.
“Ai më ka takuar në fshat dhe më ka përcjell një mesazh nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së se vëllai i juaj, Ismail Bërbatovci është ndaluar për një bisedë informative dhe që ne të mos bëhemi merak se brenda dy-tri ditësh ai do të kthehet”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Nazmiu tregon se vëllai i tij kishte shkuar për të marrë një intervistë nga anëtarët e Shtabit që kanë qenë nga Komuna e Lipjanit.
Ai thotë se vëllai i tij në atë kohë kishte shkuar për të marrë intervistë për gazetën “Kombi”, që botohej nga Haqif Mulliqi, e që sipas tij ky person afirmonte pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Nazmiu thotë se herën e parë që kishte shkuar i kishin thënë të lënte një porosi për intervistën. Ndërsa kur ka shkuar herën e dytë për të marrë intervistën, ai nuk është kthyer më dhe sot e kësaj dite familja nuk e di çfarë ka ndodhur me fatin e tij.
Nazmiu thotë se vëllai ka punuar si mësimdhënës i Gjuhësh Shqipe deri në ditën e vrasjes.
Ai thotë se vëllai, Ismail Bërbatovci ka qenë edhe i burgosur politikë për shkak të veprimtarisë së tij që i ka penguar Serbisë./Telegrafi/