Disa turistë amerikanë u detyruan të braktisnin veturën e tyre pasi një navigacion satelitor i çoi ata në një shteg të ngushtë këmbësorësh në një qytet bregdetar britanik.
Nissan Juke i bardhë mbeti “i bllokuar” mes dy mureve në qytetin piktoresk për një javë.
Sipas mekanikut që kishte për detyrë të hiqte veturën, shoferja amerikane pretendoi se një navigacion satelitor ishte fajtor për incidentin fatkeq.
Tutje ata që ndodheshin brenda veturës nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta linin veturën në vendngjarje dhe të hipnin në një tren për të shkuar në hotelin e tyre, shkruan Mirror, transmeton Telegrafi.
“Askush nuk ka shkuar kurrë me një veturë atje më parë”, tha Stephen Lowe, një mekanik i punësuar për të lëvizur veturën.
Ai shtoi: “Ata thonin që ta prenim veturën dhe ta heqim atë. Gjithashtu vlen të ceket se kjo është një veturë krejtësisht e re”.
Shtegu i këmbësorëve është pjesë e shtegut bregdetar që kalon nëpër qytetin e Tenby në Uells, në shkëmbinjtë afër një plazhi.
Turistët brenda veturës thuhet se po përpiqeshin të arrinin në ishullin e Shën Katerinës, ishull ky i cili është shtëpia e një fortese ushtarake të shekullit të 19-të, rrëzë plazhit.
Ishulli dhe plazhi nuk janë të arritshme me veturë. /Telegrafi/