Site icon Telegrafi

NATO thotë se s’ka pranuar kërkesë nga Kosova për shtim të trupave të KFOR-it

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në mediat ndërkombëtare se nevojitet shtimi i trupave të NATO-s në Kosovë, ka ngjallur pikëpyetje rreth situatës së sigurisë.

Ai këto deklarata i ka bërë kur flet për situatën e fundit në veri pas barrikadave dhe rreth deklaratave kërcënuese të Serbisë.

Zyra e Kryeministrit thotë se prania shtesë e NATO-s në Kosovë e zmbraps shtetin serb nga planet e veta.

“Kryeministri ka theksuar se rritja e prezencës së ushtarëve të KFOR-it në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë dhe paqen këtu në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe do të ishte mundësi e mirë për rritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovë përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta teksa ne vazhdojmë të rrisim buxhetin për mbrojtje dhe numrin ushtarëve aktiv dhe rezervë të ushtrisë sonë. Po ashtu, prania shtesë e NATO-s në Kosovë spraps planet e errëta Beograd-Moskë për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen nga Qeveria e Kosovës, për RTV Dukagjini.

Por, një kërkesë të tillë nuk është dorëzuar zyrtarisht në selinë qendrore të NATO-s.

Aleanca ushtarake kanë thënë se një vendim i tillë mund të merret vetëm nga aleatët e saj.

“Nuk ka pasur një kërkesë të tillë. Vendimet për madhësinë dhe strukturën e forcave merren nga Aleatët e NATO-s, bazuar në këshillat e komandantëve tanë ushtarakë. KFOR-i ka rritur praninë dhe patrullimet e tij në veri të Kosovës që nga tetori, dhe mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin e tij në përputhje me mandatin e tij të OKB-së. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte. Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik”, thuhet në përgjigjen nga NATO-s.

Por me anë të kësaj kërkese, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se kryeministri i ka nëpërkëmbur institucionet e sigurisë në Kosovë.

“Një deklarim i tillë nga ana e kryeministrit Kurti e ka nënvlerësuar dhe e ka shfuqizuar peshën institucionale të Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës. Pasi sipas tij, pra nga pikëpamjet dhe bindjet e tij, të dyja mekanizmat e sigurisë në Kosovë nuk i kanë kapacitet e mjaftueshme për tu përballur me një agresion që mund të vije nga ana e serbëve”, ka deklaruar Shala.

Nga ana tjetër, profesori i çështjeve të sigurisë, Avni Islami arsyeton kërkesën publike të Kryeministrit Kurti duke u bazuar në veprimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kërkesë e vazhdueshme e institucioneve të Kosovës është vendosja e një baze të përhershme të forcave amerikane në Kosovë. /Dukagjini/

Exit mobile version