Në prag të formimit të ushtrisë, Kosova ka marrë mbështetjen e NATO-s. Kjo e fundit kërkon që gjatë këtij procesi të konsultohen ‘të gjithë aleatët’ dhe ‘pakicat’.
Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë miratuar me shumicë votash tri projektligjet e nevojshme për shndërrimin e FSK-së në ushtri.
Projektligjet do të dërgohen së shpejti në parlamentin e Kosovës
Në këtë fazë NATO nuk kundërshton një proces të tillë.
“Çdo iniciativë për ndryshim mandati të FSK-së është mirë të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s”, thuhet në një përgjigje të NATO-s për BIRN.
NATO është e bindur se FSK është forcë profesionale dhe burim i stabiliteti ne rajon, derisa thekson se Aleanca do të mbetet e angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në vend nëpërmjet KFOR-it.
Vitin e kaluar institucionet në Kosovë dështuan të formojnë ushtrinë me anë të ndryshimeve kushtetuese pasi kjo kërkon votën e 2/3 të të gjithë deputetëve dhe 2/3 e 20 deputetëve joshqiptarë.
Deputetët serbë në Kosovë që kanë 10 nga 20 ulëset e rezervuara në Kuvend kanë bllokuar në vazhdimësi iniciativën për shndërrimin e FSK-së në ushtri.
Kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë në emisionin Pressing me Leonard Kerqukin në T7 tha se ka marrë mbështetjen e SHBA’së për formimin e ushtrisë së Kosovës.