NATO nuk ka rol të drejtpërdrejtë kur bëhet fjalë për demarkacion të kufijve, as te shtetet e saj anëtare, as te shtetet e tjera; demarkacioni është çështje dypalëshe e vendeve të interesuara, është thënë në përgjigjen e Aleanca Veri-Atlantike.
Ky koment i Aleancës Veri-Atlantike u bë në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a është e pranueshme për NATO-n që Mali i Zi, tani anëtar i saj, të hapë sërish çështjen e demarkacionit me Kosovën.
“Presim që të gjitha shtetet t’i zgjidhin çështjet e tilla në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.
Në Kosovë kundërshtohet marrëveshja për demarkacionin e kufirit, të cilën Mali i Zi e ka ratifikuar.
Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit parazgjedhor PDK-AKK-Nisma, ka thënë se nëse vjen në pushtet, do ta shfuqizojë këtë marrëveshje dhe do të nisë bisedime të reja me Malin e Zi.
Edhe kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar shqyrtimin e marrëveshjes.
Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për kufirin shtetëror në Vjenë në vitin 2015.
Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlament, ndërsa Kosova nuk ka pasur dy të tretat e votave të deputetëve, të domosdoshme për ratifikim.
Ligjvënësit kosovarë, nga pozita dhe opozita, kanë insistuar se me këtë marrëveshje, Kosova humb territor.
Demarkacioni i kufirit, në anën tjetër, është kusht për Kosovën që të avancojë në procesin e integrimit evropian.