Site icon Telegrafi

NATO kërkon përparim të mëtejshëm në dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mirce Geoana, ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Geoana përmes një postimi në Twitter thotë se mirëpresin hapat e mëtejshëm të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e raporteve derisa kërkojnë përparim të mëtejshëm.

“Pata një telefonatë të mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak. Ne mirëpresim hapat e mëtejshëm të Beogradit dhe Prishtinës në rrugën e normalizimit dhe kërkojmë përparim të mëtejshëm. NATO mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë KFOR-in”, ka shkruar ai.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord të hënën se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Lexo po ashtu Tha se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, Kurti: Vuçiq shkeli propozimin evropian

Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit e këtyre dy vendeve.

Në tryezën e bisedimeve ishte propozimi i BE-së, i titulluar “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars./Telegrafi/

 

Exit mobile version